IInnoEnergy Masters+ përfshin pesë programe evropiane të studimeve master me diplomë të dyfishtë në fushën e energjisë: Energji e Ripërtëritshme, Sisteme të Qëndrueshme të Energjisë, Rrjete dhe Sisteme Elektrike Inteligjente, Energji Bërthamore, si dhe Sisteme të Avancuara të Energjisë dhe Inteligjencë Artificiale. InnoEnergy është një Komunitet i Dijes dhe Inovacionit, i mbështetur nga Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë, një strukturë e Bashkimit Evropian.
Për pranimet e vitit 2027, InnoEnergy angazhoi Koperativën për të krijuar një fushatë që synon të arrijë te studentët e duhur për secilin program, në tregje të ndryshme dhe në çdo fazë të vendimmarrjes së tyre. Ne realizuam të gjithë punën kreative dhe prodhimin e përmbajtjes: strategjinë, drejtimin kreativ, dizajnin, tekstet, videot dhe materialet mbështetëse.
Secili program ka fushën e vet të studimit, universitetet partnere dhe arsyet e veçanta pse një student mund ta zgjedhë. Megjithatë, të pesë programet duhej të prezantoheshin si pjesë e një fushate të vetme. Edhe studentët të cilëve u drejtohej fushata kishin nevoja dhe interesa të ndryshme. Një student që jeton dhe studion në Evropë e vlerëson ndryshe vendimin për studime master nga një student që aplikon nga jashtë Evropës. Prandaj, edhe komunikimi duhej të përshtatej për secilin grup. Sfida ishte të krijonim një komunikim të përshtatur për secilin program dhe grup studentësh, duke ruajtur njëkohësisht një fushatë të përbashkët, pa e ndarë në pesë fushata të veçanta dhe pa përdorur mesazhe të përgjithshme për të gjithë. Ruajtja e kësaj përputhjeje ishte pjesa më e rëndësishme e punës.
Zhvilluam një strategji kreative që i bashkon të pesë programet dhe brendin Masters+ në një fushatë të vetme, duke përcaktuar rolin e secilit kanal komunikimi dhe të çdo faze të fushatës. Kjo kërkonte të përcaktonim qartë qëllimin e secilës fazë. Në fillim, fokusi ishte të tërhiqnim vëmendjen dhe të prezantonim një ide të fortë. Më pas, të ofronim informacionet e nevojshme që studentët t'i shqyrtonin seriozisht programet. Në fazën përfundimtare, të adresonim paqartësitë e mbetura dhe t'i orientonim drejt aplikimit. Çdo material u planifikua për fazën përkatëse, në mënyrë që të kishte një rol të qartë, ndërsa komunikimi të ecte përpara pa përsëritur të njëjtat mesazhe.
Një reklamë që promovon studimet në Evropë ka kuptim tjetër për një student që aplikon nga jashtë Evropës dhe për një student që tashmë jeton në Gjermani apo Poloni. Veçanërisht bursat dhe mundësitë e financimit kanë rëndësi të ndryshme për secilin grup. Studentët i ndamë në grupe duke marrë parasysh motivimet dhe rrethanat e tyre, përtej të dhënave demografike dhe i përshtatëm mesazhet sipas këtyre dallimeve. Studentëve evropianë dhe atyre ndërkombëtarë u drejtohen versione të fushatës të ndërtuara enkas për ta, duke përfshirë informacionet që theksojmë dhe personat që shfaqen në materialet kreative.
E gjithë fushata ndjek të njëjtën gjuhë vizuele: tipografi, ngjyra dhe stil fotografik të njejtë, të përdorur në mënyrë të vazhdueshme nga materialet e para që prezantojnë fushatën deri te ftesa për aplikim. Pavarësisht se cilin program sheh studenti apo në cilin kanal e has, fushata mbetet e dallueshme si një tërësi. Brenda këtij identiteti zhvilluam konceptet kryesore kreative: një koncept të përgjithshëm që prezanton premtimin e Masters+, karusela të veçantë për secilin program që e shpjegojnë atë hap pas hapi, materiale me dëshmi nga studentë të vërtetë dhe një koncept të dedikuar për bursat, që adreson një nga pengesat kryesore me të cilat përballen aplikantët: koston e studimeve.
Përgatitëm tekstet e fushatës për Instagram, LinkedIn, Google Performance Max dhe Demand Gen. Secili kanal ka rregullat, kufizimet e gjatësisë së tekstit dhe mënyrën e vet të përdorimit nga audienca, prandaj tekstet u përshtatën për secilin prej tyre. Punën e organizuam sipas koncepteve: fillimisht u dakorduam për idenë kryesore, pastaj e përshtatëm atë për secilin format ku do të përdorej. Çdo tekst u shkrua nga këndvështrimi i studentit dhe jo i institucionit, në mënyrë që të pesë programet, në katër kanale komunikimi, të ruanin të njëjtin stil dhe ton. Kjo qasje u zbatua edhe në tri shtyllat kryesore të secilit program: Academics+, Careers+ dhe CommUnity+. Për secilën prej tyre, tekstet shpjegojnë ofertën akademike, mbështetjen për karrierë dhe komunitetin studentor, duke ruajtur të njëjtin stil komunikimi si pjesa tjetër e fushatës.
Një pjesë qendrore e fushatës është seria e videove prezantuese të programeve, të xhiruara në universitetet partnere në Barcelonë, Stokholm dhe Bruksel. Videot përfshijnë intervista me drejtuesit e programeve, të shoqëruara me pamje nga kampuset dhe qytetet ku studentët do të studiojnë. Krahas tyre, realizuam video për bursat dhe dëshmi nga studentët, si dhe versione të shkurtra për rrjetet sociale. Secili version u përgatit duke marrë parasysh vendin ku do të shfaqej dhe fazën e fushatës për të cilën ishte menduar.
Xhirimet në tri vende, brenda një periudhe të shkurtër, kërkuan një mënyrë organizimi që do të siguronte të njëjtën qasje kreative në secilin lokacion. Ekipi ynë drejtoi xhirimet në Barcelonë, duke qenë i pranishëm në terren. Në Stokholm dhe Bruksel bashkëpunuam me ekipe lokale, të cilat u drejtuan nga distanca nga regjisori ynë i videove, në mënyrë që kuadrot, stili i intervistave dhe cilësia vizuele të ishin të njëjta në të gjitha lokacionet. U kujdesëm gjithashtu për dorëzimin dhe hostimin e videove, që ato të mund të integroheshin lehtë në faqet e programeve. Elementet grafike të animuara i dizajnuam në mënyrë që të mund të ripërdoren edhe për pranimet e viteve të ardhshme.
Silabuset e programeve janë dokumente akademike me përmbajtje të gjerë dhe të detajuar. Detyra jonë ishte t'i bënim më të qarta dhe më të lehta për t'u përdorur, duke i përshtatur njëkohësisht me identitetin vizual të fushatës. Kështu, një student që hap njërin prej këtyre dokumenteve e kupton menjëherë se ai është pjesë e Masters+.
Krahas fushatës, përgatitëm edhe materialet mbështetëse që i nevojiteshin InnoEnergy për të prezantuar Masters+ në përputhje me identitetin e brendit: përmbajtje për prezantime që shpjegojnë ofertën akademike, mundësitë për karrierë dhe komunitetin studentor, si dhe dizajne për banerë roll-up që përdoren në ngjarje. Të njëjtin identitet vizuel e zbatuam në secilin format të ri.
Fushata përfshiu strategjinë, drejtimin kreativ, produksionin e videove në tri vende, dizajnin, shkrimin e teksteve dhe përshtatjen e tyre për kanale të ndryshme, të gjitha brenda një afati të përcaktuar për pranimet e studentëve. Një menaxher i vetëm i projektit koordinoi punën me ekipin e InnoEnergy, drejtuesit e programeve dhe ekipet lokale të xhirimit. Orari i punës dhe procesi i miratimeve u planifikuan duke u nisur nga data e lansimit të fushatës.
Përgjegjësia e një ekipi të vetëm për të gjithë fushatën, nga koncepti deri te dorëzimi përfundimtar, na mundësoi që pesë programe, tri vende dhe katër kanale komunikimi t'i realizonim si pjesë të një pune të përbashkët.