Kërkimi i punës është ndjenjë para se të jetë kërkim
Para se me shkru rreshtin e parë për Talentën, e shkrujtëm një ndjenjë. Kushdo që ka hapë ndonjëherë një platformë pune në mesnatë e njeh atë ndjesi: një përzierje mes shpresës, lodhjes, atij frustrimit të vogël që vjen prej fillimit prej zero, dhe atij emocionit të qetë kur më në fund sheh diçka që ndoshtapërputhet me ty.
Kërkimi i punës, në Kosovë e Shqipëri si kudo tjetër, është një rrjedhë emocionesh. Kërkim → hezitim → dëshirë → gjetje. Nuk e përjeton si databazë. E përjeton si një tregim që ia tregon vetes për jetën tënde. Ajo ndjesi u bë brief-i që ia dhamë vetes. Kategoria ku po hynim – portalet online të punësimit në rajon – ishte ndërtu pothuajse krejt në drejtim të kundërt. “Apliko këtu.” “Shiko pozitat.” “Ngarko CV-në.” Funksionale. Të ftohta. Të orientume te pozita, asnjëherë te njeriu. Kishte shumë hapësirë me bo diçka ndryshe.
Talenta na e dha atë hapësirë. Një platformë e re që po lancohet në Kosovë dhe Shqipëri, që lidh punëkërkuesit me punëdhënësit dhe, ma e rëndësishmja, një klient që nuk kishte frikë me qenë interesant. Talenta nuk është kompani “serioze” në kuptimin e ngurtë të fjalës. Është kompani me karakter. E neve na kërkoi me ia gjetë atë karakter. Edhe e gjetëm.
Në vend të platformës, flet Lama
Vendimi i parë i madh ishte strategjik, jo stilistik: Talenta nuk do të komunikonte si platformë. Do të komunikonte si prezencë. Atë prezencë e ndërtum rreth një personazhi – një lame që, mesa duket, i ka provu krejt profesionet e mundshme. Kamarier. Arkatar. Specialist i IT-së. Shofer. Financier. Punëtor hospitality. Logjistikë. Në çdo paraqitje, Lama shfaqet me uniformë tjetër, në ambient tjetër, krejt natyrshëm në vendin ku gjendet.
E zgjodhëm sepse lama përshtatet me klimë, terren dhe barrë. Një lamë që i ka provu krejt profesionet është thjesht një portret i sinqertë i fuqisë punëtore të sotme në rajon. Dhe me qëllim, Lama nuk është një “maskotë e lezetshme”. Ai është shoku që ka qenë në vendin tand – në krejt këpucët.
I ndaluam tri fjalë
Fjalë që përdoren zakonisht në kategori si “ndërmjetësim”, “mundësi” dhe terminologji të ngjashme, i larguam prej ditës së parë sepse konsideruam se nuk i shërbejnë vërtet njerëzve që do ta përdorin platformën. Në vend të tyre përdorëm shprehje që njerëzit i përdorin çdo ditë.
E para ishte: “Kush e lyp e gjen.”Një shprehje që ekziston tashmë në gjuhë. Pikërisht për këtë e zgjodhëm. Nuk tingëllon si slogan. Tingëllon si diçka që ta thotë një familjar tu e pregaditë kafen.
E dyta ishte një dialog i vogël që përsëritet gjatë kampanjës: “Qysh e gjete?”“Kërkova.” Dy rreshta. Një pyetje dhe një përgjigje. Pa magji. Pa premtime boshe. Veç përshkrimi ma i shkurtër i mënyrës si ndodhin gjërat e mira.
Dhe pastaj erdhi fjala që e lidhi krejt: “T’gjeta!” Fjala që e thua kur diçka më në fund e gjen vendin e vet. Po e përdorim si nënshkrim të Talentës sepse e bart krejt premtimin e produktit në një frymë: ky është vendi ku ndodh gjetja. Jo kërkimi. Jo scroll-i. Gjetja. Fushata fillon në mister. Lama thjesht shfaqet në profesione të ndryshme, pa logo që e shpjegon shumë. Reagimi ideal për ne ishte komenti:
“Çka është kjo?” Dhe për ne ai koment ishte sukses. Konfuzioni i përzier me kuriozitet është gjendja ma e vlefshme ku mundet me qenë një brend i ri. Është momenti kur njerëzit afrohen. Prej aty, fushata fillon me ia dhanë përgjigjet vetes. Një Lama kamarier. Një Lama arkatar. Një Lama në hospitality. Një Lama në logjistikë. Publiku fillon me e kuptu modelin: kjo është për punë, për profesione, për krejt profesionet – jo veç për ato të korporatave. Dhe kur shfaqet Lama financier, tashmë është e qartë që diçka më e madhe po ndërtohet, edhe pse askush ende nuk e ka thënë fjalën “platformë”. Kur vjen momenti i zbulimit, ai është emocional para se të jetë informues.
Pse thjeshtësia është gjëja më e vështirë në këtë kategori
Besojmë që kjo strategji funksionon për tri arsye. Funksionon sepse tingëllon si njerëz. Gjëja ma radikale që mundet me bo një brend teknologjie në vitin 2026 është me folë me fjali që një njeri real mund t’ia thotë një njeriu tjetër në tavolinë kuzhine. Pa terminologji të thatë. Pa gjuhë të komplikuar. Veç: “Kërkova.” Funksionon sepse i përfaqëson krejt. Shumica e tregut komunikon vetëm me profile “me tesha kat” dhe i harron krejt të tjerët.Talenta jo. Një arkatar dhe një financier trajtohen me të njëjtin respekt, të njëjtën dritë dhe të njëjtin dinjitet.
Çka deshëm në fund
Deshëm që Talenta me u ndi ma pak si faqe që duhesh me përdorë dhe ma shumë si prezencë e njohur në vend. Deshëm që “T’gjeta!” me dalë jashtë kampanjës dhe me u bo diçka që njerëzit thjesht e thonë. Deshëm që Lama të bëhet personazhi ma i njohur i ri në rajon brenda një viti. Dhe nëse puna jonë është duke funksionu si duhet, krejt kjo nuk ka me u përjetu si marketing. Ka me u ndi sikur gjuha gjithmonë ka ekzistu. Na veç ia gjetëm vendin ku mundet me jetu.