Koperativa, agjenci kreative dhe e komunikimit në Prishtinë, Kosovë, realizoi përmbajtjen kreative për fushatën e pranimit të studentëve të InnoEnergy Masters+ për vitin 2027. Masters+ përfshin pesë programe dyvjeçare të studimeve master në inxhinieri të energjisë. InnoEnergy mbështetet nga Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT). Kjo përvojë na mësoi shumë për marketingun në arsimin e lartë, por edhe na shtyu të mësonim mjaftueshëm për pesë fusha të inxhinierisë, që të mund t'i promovonim ato.


InnoEnergy Masters+ students

Në shumicën e rasteve, marketingu promovon produkte apo shërbime që njerëzit mund t'i provojnë. Mundesh me e provu një produkt dhe me e kthy, me e anulu një abonim ose me zgjedhë diçka tjetër muajin e ardhshëm nëse nuk të përshtatet. Me arsimin është ndryshe. Kur një person vendos se ku do të studiojë, ai merr një vendim që ndikon në të ardhmen e tij. Investon vite të jetës dhe një shumë të konsiderueshme parash, pa e ditë paraprakisht nëse ka bërë zgjedhjen e duhur. Kur e kupton këtë, tashmë kanë fillu ligjëratat dhe është njoftuar me profesorët e tij.

Ky fakt duhet të ndikojë në mënyrën se si i qasemi komunikimit për një shkollë, universitet apo program studimi. Nuk po përpiqemi ta shtyjmë dikë drejt një vendimi të vogël, që mund ta ndryshojë lehtë. Po e shoqërojmë gjatë marrjes së një vendimi të rëndësishëm. Njerëzit në këtë situatë sillen ndryshe. Ata nuk ndikohen aq shumë nga sloganet kreative, mesazhet tërheqëse apo dizajni i bukur. Fillojnë të kërkojnë arsye për të besuar. Bindja ka më pak ndikim sesa mendojnë shumica e profesionistëve të marketingut. Besimi ka rolin kryesor dhe, pasi të krijohet, gjithçka tjetër bëhet më e lehtë.

InnoEnergy Masters+

Besimi ndërtohet përmes informacioneve konkrete

Një student i interesuar zakonisht ka vizituar shumë faqe të programeve akademike që premtojnë të njëjtat gjëra: cilësi të lartë, mundësi dhe një të ardhme të ndritur. Këto fjalë e kanë humbë kuptimin, sepse përdoren nga të gjithë. Ajo që bën dallimin janë informacionet konkrete: çfarë do të studiosh, ku do të studiosh, me kë do të mësosh dhe çka kanë arritë studentët pas diplomimit. Detyra e komunikimit në arsim është t'i zëvendësojë premtimet e përgjithshme me informacione reale, duke e ruajtë një mënyrë të natyrshme dhe të afërt komunikimi.

Këtë e pamë nga afër gjatë realizimit të fushatës së pranimit të studentëve për InnoEnergy Masters+ 2027. Masters+ përfshin pesë programe master në inxhinieri të energjisë: Renewable Energy, Sustainable Energy Systems, Smart Electrical Networks and Systems, Advanced Energy Systems and AI, dhe Nuclear Energy. Secili program zgjat dy vjet dhe zhvillohet në dy vende evropiane, ndërsa studentët diplomohen me dy diploma master. Programet kishin përparësi konkrete dhe të veçanta për të cilat mund të flisnim. Pjesa më e madhe e punës sonë ishte që këto informacione t'i arrinin studentët e duhur, në momentin e duhur, në vend që të mbështeteshim te premtimet e përgjithshme që përdorin shumë institucione arsimore.

InnoEnergy ndjek një rregull shumë të qartë: çdo pretendim dhe çdo numër i përdorur në fushatë duhet të mbështetet në një burim të miratuar. Çdo informacion që nuk mund të verifikohej, lihej jashtë. Kjo disiplinë e bëri fushatën më të mirë. Në fund të fundit, kjo është pikërisht ajo që bën edhe një aplikant i kujdesshëm kur lexon kushtet dhe detajet e një programi. Prandaj, fushatën e ndërtuam në mënyrë që t'i përmbushte këto kërkesa përpara se të publikohej.

InnoEnergy Masters+ studentsInnoEnergy Masters+ students

Si i mësoi ekipi ynë pesë fusha të inxhinierisë

Pas krejt këtyre ishte edhe përmbajtja akademike. Masters+ përfshin pesë programe, secili në një fushë ku inxhinierët kalojnë gjithë karrierën e tyre profesionale. Ekipi ynë merret me copy, dizajn, xhirim dhe montazh. Asnjëri nuk e kemi studiuar inxhinierinë. Para se t'i promovonim këto programe, duhej t'i kuptonim mjaftueshëm për të shpjeguar se çfarë studion konkretisht një student në secilin prej tyre dhe pse mund ta zgjedhë njërin në vend të tjetrit.

Për fushatën e vitit 2027 realizuam video me përvoja të studentëve, një video të përgjithshme të brendit, intervista më të gjata, reels dhe versione të shkurtra të përshtatura për platforma të ndryshme, carousels, materiale reklamuese për LinkedIn, tekst reklama dhe silabuset e programeve. Xhiruam studentë në Barcelonë, në Universitat Politècnica de Catalunya (UPC) dhe ESADE Business School, si dhe në Stokholm, në KTH Royal Institute of Technology. Këto xhirime i kombinuam me intervista nga arkivi i InnoEnergy. Ekipi i InnoEnergy menaxhoi reklamimin në media, ndërsa përgjegjësia jonë ishte krijimi i përmbajtjes.

Puna me silabuset ishte pika jonë e nisjes. Përgatitja e tyre kërkonte lexim të kujdesshëm të përmbajtjes akademike të secilit program. Kaluam orë të tëra duke dëgjuar intervista me studentë, i bëmë shumë pyetje ekipit të InnoEnergy dhe vazhduam derisa arritëm ta shpjegonim dallimin mes pesë programeve me nga një fjali për secilin. Kjo ishte pjesa më e vështirë. Programet kanë shumë tema të përbashkëta. Energjia e ripërtëritshme trajtohet në të gjitha, ndërsa rrjetet elektrike, të dhënat dhe ekonomia janë pjesë e shumicës prej tyre. Me e gjetë atë që e dallon njërin program nga tjetri, me saktësi dhe pa ekzagjerime, kërkoi më shumë punë se përgatitja e cilitdo skenar të veçantë.

InnoEnergy Masters+ students

Secila fushë kishte edhe sfidën e vet kreative.

Renewable Energy është një fushë për të cilën pothuajse të gjithë mendojnë se dinë mjaftueshëm. Prandaj, shmangëm pamjet e zakonshme të turbinave në perëndim të diellit dhe u përqendruam tek inxhinieria që qëndron pas tyre.

Sustainable Energy Systems e trajton energjinë si një sistem të tërë, gjë që e bën të vështirë të zgjedhësh një element të vetëm për ta paraqitur përmes kamerës. Këtu, studentët morën rolin kryesor, duke e përshkruar punën e tyre me fjalët e veta.

Smart Electrical Networks and Systems merret me rrjetin elektrik, infrastrukturën nga e cila varen të gjithë, por që rrallë e shohim. Sfida ishte ta tregonim rëndësinë e saj pa e kthyer komunikimin në një rrëfim për katastrofa.

Advanced Energy Systems and AI duhej të kalonte përtej një termi ndaj të cilit shumë inxhinierë janë bërë skeptikë. Prandaj, u përqendruam te ajo që programi përfshin realisht: inxhinierinë e energjisë, inteligjencën artificiale të aplikuar dhe shkencën e të dhënave.

Nuclear Energy është një fushë që shoqërohet me debate publike. Ne nuk u përfshimë në këto debate, por prezantuam me saktësi dhe qetësi se çfarë përfshin studimi i kësaj fushe.

Mësimi kryesor nga të pesë programet ishte se ne nuk ishim ekspertët e fushës. Njerëzit që i shohin këto reklama dinë më shumë për inxhinierinë sesa cilido nga ne që shkruan copy. Nëse një reel e thjeshton gabimisht një koncept shkencor, ata e vërejnë brenda sekondave të para dhe vështirë se i kthehen më përmbajtjes. Prandaj, ruajtëm saktësinë e përmbajtjes teknike dhe thjeshtuam mënyrën e prezantimit. Termat teknikë mbetën, sepse për këtë audiencë janë tregues serioziteti. Ajo që hoqëm ishin hyrjet e gjata, premtimet abstrakte dhe idetë e tepërta të ngjeshura në një video të shkurtër.

Mësimi i dytë ishte se njerëzit shpesh e shpjegojnë punën komplekse më mirë sesa një tekst reklamues. Një student që përshkruan projektin e tij të vitit të parë tregon më shumë për programin sesa një fjali që mund ta shkruanim ne për të ardhmen e energjisë. Shumica e videove janë ndërtuar rreth studentëve që flasin me fjalët e veta. Detyra jonë ishte të gjenim atë fjali që do ta bënte dikë të ndalonte gjatë “scrollit” të rrjeteve sociale dhe ta ndërtonim montazhin rreth saj. Në rrjete sociale duhet ende diçka që tërheq vëmendjen, por në këtë sektor ajo duhet të jetë një fakt.

Për një ekip kreativ nga Prishtina, kjo ishte edhe një përvojë shumë e mirë profesionale. Në fund të projektit dinim shumë më tepër për energjinë e ripërtëritshme, rrjetet elektrike, reaktorët, sistemet energjetike dhe mësimin makinerik sesa kishim pritur. Edhe fushata përfitoi nga kjo njohuri.

InnoEnergy Masters+ studentsInnoEnergy Masters+ students

Një fushatë për pesë programe master

Marketingu në arsim përballet edhe me faktin se një institucion rrallëherë mund të prezantohet përmes një mesazhi të vetëm. Një universitet zakonisht ka shumë programe, secili me përmbajtjen, përparësitë dhe arsyet e veta pse studentët mund ta zgjedhin. Nëse secili program komunikon në mënyrë krejtësisht të ndryshme, identiteti i institucionit humbet mes mesazheve. Nëse të gjitha programet thonë të njëjtën gjë, komunikimi nuk është më relevant për studentin që e lexon. Zgjidhja është një sistem i përbashkët, me identitet dhe rregulla të qarta, brenda të cilit secili program mund të prezantojë veçoritë e veta.

Në rastin e InnoEnergy, të pesë programet duhej të prezantoheshin si një fushatë e vetme, duke ruajtur dallimet mes tyre. Fushata mbështetet në tri shtyllat e ofertës Masters+: Academics+, Careers+ dhe Community+. Një student mund të ndeshet me një program në LinkedIn dhe me një tjetër në Instagram. Të dyja përmbajtjet duhej të njiheshin si pjesë e së njëjtës fushatë dhe njëkohësisht të shpjegonin qartë çfarë e dallon secilin program. Arritja e këtij ekuilibri, mes një komunikimi të përbashkët dhe mesazheve specifike, është një nga pjesët më të vështira dhe më të rëndësishme të marketingut për institucionet arsimore.

Komunikimi me aplikantë në rrethana të ndryshme

Audienca rrallëherë është një grup i vetëm. Në arsim, ndoshta më shumë se në shumicën e sektorëve të tjerë, i njëjti program shqyrtohet nga njerëz me rrethana jetësore krejtësisht të ndryshme. Një student që tashmë studion në Evropë e vlerëson ndryshe këtë vendim nga dikush që aplikon nga ana tjetër e botës. Një mesazh që thekson mundësinë për të studiuar jashtë vendit mund të jetë shumë tërheqës për njërin grup dhe pothuajse pa rëndësi për tjetrin. Komunikimi i mirë në arsim i merr parasysh këto dallime reale në motivim dhe rrethana, përtej moshës dhe vendndodhjes, në mënyrë që secili student të marrë një mesazh që është relevant për të.

Me folë haptazi për financat

Pastaj vjen çështja e pareve, që në arsim shpesh është pengesa kryesore pas shumë hezitimeve të tjera. Njerëzit mund të heqin dorë nga aplikimi sepse mendojnë se nuk kanë mundësi ta përballojnë financiarisht, shpesh pa i kontrolluar mundësitë që ekzistojnë. Mënyra se si një institucion komunikon për koston e studimeve, bursat dhe financimin ndikon në besueshmërinë e gjithë komunikimit të tij.

Pikërisht këtu sinqeriteti ka rëndësinë më të madhe. Mund të jetë joshëse që mbështetja financiare të paraqitet si më e madhe apo më e thjeshtë sesa është në të vërtetë. Por qasja e kundërt funksionon më mirë. Jep informacion të saktë, shpjego qartë mënyrën e aplikimit dhe mos i mbulo paqartësitë me premtime që tingëllojnë më bukur. Studentët i lexojnë kushtet me kujdes dhe i besojnë institucionit që nuk i bën të pendohen për këtë.

Çka kemi nxjerrë nga çdo projekt në arsim

Kjo është ajo që i lidh të gjitha këto përvoja. Kjo audiencë i kontrollon informacionet që i ofrohen, sepse vendimi është shumë i rëndësishëm për të vepruar ndryshe. Prandaj, gjëja më e dobishme që mund të bëjë komunikimi është të jetë konkret, i sinqertë dhe i qëndrueshëm, në të gjitha programet dhe tregjet.

Kjo qasje kërkon më shumë kohë sesa të shkruash mesazhe të përgjithshme e plot vetëbesim. Gjithashtu, të detyron të heqësh dorë nga disa shprehje të lehta dhe të zakonshme. Por është e vetmja qasje që i qëndron vlerësimit të njerëzve që po zgjedhin të ardhmen e tyre dhe po i kushtojnë vëmendje çdo detaji.

Kështu u qasemi klientëve tanë në sektorin e arsimit dhe puna me InnoEnergy na ndihmoi ta përmirësonim edhe më tej këtë qasje. Detyra jonë nuk është ta bëjmë një program të tingëllojë mbresëlënës. Detyra jonë është që ai të kuptohet dhe të fitojë besimin e studentit që po vendos nëse do t'ia kushtojë vitet e ardhshme të jetës.

Pyetjet më të shpeshta

  • Çfarë realizoi Koperativa për InnoEnergy Masters+? Për fushatën e pranimit të studentëve të vitit 2027, Koperativa realizoi përmbajtjen kreative për pesë programe master në inxhinieri të energjisë: video me dëshmi nga studentët, një video të përgjithshme të brendit, video me intervista, Reels dhe versione të shkurtra, karusela, materiale reklamuese për LinkedIn, tekste reklamash dhe silabuset e programeve. Ekipi realizoi xhirime me studentë në UPC dhe ESADE në Barcelonë, si dhe në KTH në Stokholm.

  • Duke ruajtur terminologjinë teknike dhe duke thjeshtuar mënyrën e prezantimit. Inxhinierët e vërejnë kur konceptet shkencore thjeshtohen gabimisht. Lëri studentët ta përshkruajnë punën e tyre me fjalët e veta, fillo me një fakt konkret dhe sigurohu që çdo pretendim të mbështetet në një burim të verifikueshëm.

  • Po. Koperativa ka selinë në Prishtinë dhe bashkëpunon me klientë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Fushata e InnoEnergy Masters+ u realizua për një audiencë ndërkombëtare të studentëve të interesuar për studime në inxhinieri.

Rreth Koperativës

Koperativa është agjenci kreative dhe e komunikimit, e themeluar në Prishtinë, Kosovë, në vitin 2004. Ekipi i saj prej 22 personash bashkëpunon me institucione të Bashkimit Evropian, organizata ndërkombëtare dhe brende në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Koperativa ka realizuar projekte të komunikimit institucional për BE-në për shtatë vjet radhazi dhe është anëtare e IPREX, rrjetit global të agjencive të pavarura të komunikimit.